Policia e Kosovës konfirmon se në katër raste janë maltretuar dje shqiptarë që kanë qarkulluar në pjesën veriore të vendit, aty ku u vendosën barrikada. Policia njofton se qytetarët kanë pësuar lëndime trupore si dhe u janë thyer automjetet.

Policia njofton se kjo është bërë nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerre në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, njofton Policia.

Policia e Kosovës njofton se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi. Teksa Jarinja dhe Bërnjaku vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për qarkullim.