Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës.

Akgjykimi ndaj Pajazitajt u shpall sot, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.