Jo rrallëherë ndodhin raste të mosmarrëveshjeve që përfundojnë në përleshje fizike në lokale të ndryshme në vendin tonë. Një ngjarje e tillë ka ndodhur mbrëmë në Pejë, por këtë herë jo mes klientëve. Viktimë kësaj radhe është punëtori i një lokali.

Dy gra përfunduan në Polici, pasi dyshohet se rrahën punëtorin 46-vjeçar në një lokal (emër i njohur për redaksinë), në rrugën ‘Adem Jashari’ në Pejë.

Ngjarja dyshohet se ndodhi në orët e mbrëmjes, kur për arsye ende të panjohura, të dyshuarat sulmuan fizikisht punëtorin derisa ishte në vendin e punës, duke i shkaktuar lëndime trupore. 

Policia është njoftuar për rastin nga disa qytetarë dhe menjëherë ka intervenuar duke prangosur të dyshuarat, të cilat më pas janë shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tyre, Prokurori ka marrë vendim që të ndalohen për 48 orë dhe të mblidhen prova, duke përfshirë pamjet nga kamerat e sigurisë, në mënyrë që të zbardhen rrethanat e ngjarjes.