Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka dalë në protestën e veteranëve për të mbështetur kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit për pagën minimale ku s’janë përfshirë ata.

Ai tha se kjo s’do duhet të ndodhë më shumë se 20 vjet pas çlirimit.

“Me qitë në opinionin publik diskutimin nëse duhet t’i dhënë veteranit 250 euro ose jo. Kjo është shkelje e të drejtave dhe është luftë ndaj veteranit. Qeveria i ka dhënë qindra miliona edhe KEDS’it, ia paguajmë rrymën edhe serbëve në veri e tash të diskutojmë nëse është e drejtë ose jo kjo”.

Ai tha se Qeveria duhet të kthejë projektligjin i cili u miratua në parim dy ditë më herët.

Molliqaj tha se duhet hequr diskursi se veteranët po vjedhin, derisa shtoi se vjedhës janë “të tjerë”.

Pas përfundimit të fjalës së tij, veteranët filluan brohoritjet “UÇK” dhe “Poshtë Albin Kurti”.