Dy policë u arrestuan sot në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, nën dyshimet për keqtrajtimin e një qytetari. Policët e arrestuar tashmë janë ndaluar për 48 orë, si dhe janë suspenduar nga detyra.

Zyrtarët policorë që po dyshohen për këtë rast janë Adhurim Ademi dhe Valon Murati.

Arrestimi i tyre erdhi pas ankesës së një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarët policorë në fjalë.

Ashtu siç raportoi Sinjali, e konfirmoi edhe IPK, se ngjarja ka ndodhur dje në orët e pasdites kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.

Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.