KESCO ka njoftuar se do të aplikojë te konsumatorët tarifat që kanë qenë para shtrenjtimit të energjisë, deri në një vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Ky njoftim i KESCO vjen pak pasi Gjykata Supreme anuloi vendimin e Apelit dhe Themelores për tarifat e shtrenjta.

Këtë vendim KESCO ka thënë se e ka marrë edhe pse ende s’ka pranuar përgjigje nga ZRRE për propozimin.

“Duke mos pranuar ende përgjigje dhe udhëzimet e nevojshme nga Rregullatori, dhe në anën tjetër duke qenë në prag të leximit të shpenzimeve dhe faturimit, KESCO e gjendur para një situate jo të lehtë, deri në vendimin e ardhshëm të ZRrE-së, ka vendosur që të aplikojë tarifat paraprake, pra tarifat që ishin në fuqi para datës 8 shkurt. Duke shpresuar që kjo situatë e vështirësuar do të gjejë zgjidhjen më të mirë, ne sigurojmë konsumatorët se nuk do të dëmtohen assesi nga ky proces dhe varësisht nga vendimi final që do të pranojmë nga ZRrE-ja, si institucion përgjegjës, KESCO do të zbatojë të gjitha përshtatjet e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji ZRRE për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe ka marrë vendim që të ndryshojë vendimet e Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Themelore, duke e konsideruar kërkesën e PDK-së për shtyrje të vendimit të ekzekutimit të vendimit për tarifat e reja të energjisë si të pa bazuar.