Një vjedhje ka ndodhur në marketin “Viva Fresh”, në rrugën “Mehmet Gradica”, në Prishtinë, ku pamjet e sigurisë u bënë ‘sebep’, që hajni 49-vjeçar të arrestohet nga policia për vjedhjen e një produkti ushqimor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Bernard Smakollin, recidivist i veprave të ndryshme penale. Pas arrestimit, 49-vjeçari është dërguar në mbajtje, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Çka vodhi dhe si u kap hajni?

I dyshuari ka vjedhur në “Viva Fresh” një sasi të produktit ushqimor, kaçkavall, që kap vlerën e mbi 70 eurove.

Punëtorët e marketit që vërejtën të dyshuarin duke kryer vjedhjen njoftuan menjëherë Policinë, me ç’rast një patrullë doli në vendin e ngjarjes, ku edhe u kap në flagrancë hajni.

49-vjeçari që u arrestua është recidivist, pasi dyshohet se ka kryer mbi 10 vepra të ndryshme penale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.