Dy persona kanë mbetur të plagosur sot si pasojë e të shtënave me armë në Mramor të Prishtinës.

Si pasojë, të plagosurit nga ky rast janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Por i dyshuari për plagosje në këtë rast është një zyrtar policor.

Insajderi mëson nga banorët e fshatit Mramor se polici ka qenë i komunitetit serb ndërsa dy personat e plagosu kanë qenë motoristë.

Në kohën kur ka ndodhur rasti, polici ka qenë pa uniformë zyrtare dhe me familje.

Ngjarja ka ndodhur shumë afër liqenit të Badovcit.

Rastin e ka konfrmuar edhe Policia e Kosoves.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci konfirmoi se rrreth orës 15: 30 është pranuar një informacion për një plagosje me armë zjarri dhe se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit.

Ai shtoi se të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marrë trajtim mjekësor.

“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion shtesë se cila ishte arsyeja e të shtënave me armë zjarri nga të cilat u plagosën dy persona. Hetuesit policer kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha Borovci.