Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përfshira në raportin vjetor për vitin 2021 tregojnë se totali i rezervës valutore të vendit fiksohet në 4.97 miliardë euro.

Në këtë rezervë valutore përfshihet edhe ari monetar. Gjithsesi, deri në fund të vitit të kaluar, në arkën e Bankës së Shqipërisë gjendeshin 2.5 ton ar.

Por, sa e madhe është kjo rezervë krahasuar me vendet e tjera?

Shifrat e analizuara nga “Scan Intelligence Unit” tregojnë se Shqipëria është ndër vendet e fundit në Europë sa i përket rezervës valutore në ar. Në kontinentin e vjetër, vetëm Luksemburgu, Malta, Estonia, Armenia dhe Islanda vlerësohet të kenë rezerva valutorë në ar më të vogla se Shqipëria. Për Serbinë ndërkohë, rezerva në ar fiksohet në rreth 37 ton, për Maqedoninë e Veriut në 6.9 ton, ndërsa për Bosnje Hercegovinën në rreth 3 ton. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë vendin e parë në nivel global, me rezervat valutorë në ar që fiksohen në rreth 8100 ton. Gjermania ndërkohë, është e para në Europë dhe e dyta në botë, me 3359 ton ar në arkën e Bankës Qendrore. Më pas ndjekin Italia, Franca, Rusia dhe Kina, që mbyllin 5 vendet e para të listës.

Ndërkohë, krahasuar me popullsinë, 2.5 ton rezerva valutore, përkthehen në më pak se 1 gram për frymë, ose 0.89 gram.

Por, si ndahet rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë? Pjesa më e madh e saj, ose më saktë rreth 66%, shprehet në Euro, 17% në dollar, 6.9% në SDR, 2.9% në AR, 2.1% në Paund Britanik, 1.9% në Jen japonez dhe 1.9% në valutën kineze, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, raporton “Scan Intelligence Unit”.