Pas shkuarjes së rusëve nga Çernobili, punëtorët, disa prej të cilëve u mbajtën robë, kanë treguar se çfarë kanë bërë ata derisa ishin në central.

Ish-centrali bërthamor në Çernobil në Ukrainën veriore u mor nga forcat ruse në ditën e parë të pushtimit. Por, tani është nën kontrollin e Ukrainës.

Pasditen e 24 shkurtit, forcat ruse rrethuan Çernobilin me tanke dhe automjete të blinduara, duke hyrë në Ukrainë nga kufiri me Bjellorusinë.

Rreth 170 roje ukrainase që siguronin centralin u dërguan në bodrum dhe u mbajtën rob atje. Më pas ushtarët rusë kontrolluan ambientet për armë dhe eksplozivë.

Inxhinierët, mbikëqyrësit dhe stafi tjetër teknik u lejuan të vazhdonin punën. Në dy ditët e ardhshme, u sollën ekipet e agjencisë ruse të energjisë atomike Rosatom, raporton BBC.

Termocentrali i Çernobilit nuk është funksional, por kontrollohet që mbetjet radioaktive ku ndodhi fatkeqësia më e madhe bërthamore në botë të mos shpërndahen. Miliarda dollarë janë shpenzuar për të pastruar aksidentin e vitit 1986 dhe për të kontrolluar kontaminimin e mëtejshëm. Nëse kushtet në vend nuk monitorohen siç duhet, ekziston një rrezik i madh i çlirimit të materialit bërthamor.

“Ata donin të dinin se si menaxhohej objekti. Ata donin informacion për të gjitha procedurat, dokumentet dhe operacionet. Unë u frikësova sepse marrja në pyetje ishte e vazhdueshme dhe ndonjëherë me forcë,” tha Oleksandr Lobada, një mbikëqyrës i sigurisë nga rrezatimi në stacion.

Në katin e fundit të ndërtesës kryesore të termocentralit janë dhomat kryesore nga ku kontrollohet vendi. Disa nga dhomat ishin të mbyllura. Kur rusët nuk i gjetën çelësat, ata hynë në dhoma, duke i prerë dyert. 

“Ne duhej të negocionim vazhdimisht me ta dhe të përpiqeshim shumë që të mos i ofendojmë, në mënyrë që ata të lejojnë personelin tonë të menaxhojë objektin”, tha inxhinieri Valeriy Semonov.

Kur rryma në termocentral u ndërpre për tre ditë, Valeriy tha se ai u përpoq të gjente karburant për të mbajtur gjeneratorin në funksion, madje edhe duke vjedhur karburantin nga rusët. 

“Nëse nuk do të na linin kujdesin neve mund të kishte qenë katastrofike. Materiali radioaktiv mund të ishte lëshuar dhe ju mund ta imagjinoni mirë përmasat e tij. Unë nuk u frikësova për jetën time. Kisha frikë se çfarë do të ndodhte nëse unë nuk do të isha atje duke monitoruar centralin. Kisha frikë se do të ishte një tragjedi për njerëzimin”.

Zona pas uzinës së quajtur “Pylli i Kuq” është një nga vendet më radioaktive në tokë. Pamjet me dron të publikuara nga ushtria ukrainase tregojnë se ushtarët rusë hapën llogore dhe madje qëndruan atje. Kjo u konfirmua edhe për BBC-në nga zyrtarët e stacionit.

Gërmimi në tokën e kontaminuar është dëshmi se sa pak dinin ushtarët për sigurinë bërthamore.

Energoatom, agjencia shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, ka thënë se ushtarët rusë ishin të ekspozuar ndaj “dozave të konsiderueshme” të rrezatimit.