Dje në fjalën e tij në Forumin Ekonomik në Greqi kryeministri i vendit, Albin Kurti, kërkoi që shteti helen ta njohë pavarësinë e Kosovës. 

Sot kryediplomati grek, Nikos Dendias, ka takuar kryeministrin dhe zëvendësen e tij Donika Gërvalla në Delphi të Greqisë.

Ministria e Jashtme greke ka shpërndarë disa fotografi nga takimi ku thuhet se është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe procesin e dialogut me Serbinë.

“Takimi në margjina e Forumit Ekonomik Delphi mes Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe Ministres së Jashmte Donika Gërvalla. Diskutime në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet në dialogun Prishtinë-Beograd”, thuhet në njoftimin e MPJ-së greke.

Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik që po mbahet në Delphi të Greqisë të premten, Kurti tha se njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes njerëzve të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovë të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti po qëndron në Greqi nga e enjta dhe ka zhvilluar takime me Emisarin Special për dialogun Miroslav Lajcak dhe të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.