Gazetari Taulant Kopliku dhe operatori Ardian Kamberi raportuan nga vija e frontit mes rusëve dhe ukrainasve pranë Kievit ku dëgjohen vazhdimisht shpërthime. Ekipi i ABC ndodhet në krahun e ushtarëve ukrainas, të cilët i kanë kërkuar që të mos vijojë më raportimin pas situata është shumë e rrezikshme.

Pasi raportoi LIVE për disa minuta, ndërkohë që rusët bombardonin, ushtarët ukrainas iu afruan ekipit të ABC duke i kërkuar që të largohen menjëherë nga aty pasi po rrezikonin shumë.

Gjatë raportimit të tij Kopliku tha se ndodhej në veri-perëndim të Kievit dhe se rusët kishin rinisuar bombardimet gjatë ditës së sotme me qëllim marrjen e kryeqytetit të Ukrainës. Lufta duket të jetë e ashpër atje pasi qielli është mbuluar nga shtëllunga të zeza tymi pas bombardimeve nga të dyja palët.

Pasi ndërprenë lidhjen e parë për shkak të rrezikut, gazetari Taulant Kopliku u rilidh nga një zonë tjetër disi më e qetë duke theksuar se aty ishin mbledhur pjesa më e madhe e ushtarëve ukrainas që do të mbronin kryeqytetin nga rusët.

“Jemi vendosur këtu rreth 10-15 kilometra nga Kievi. Është zonë rurale dhe njerëzit janë evakuuar. Nuk na lejojnë të kthejmë kamerën anash apo pas sepse është sekret ushtarak. Pas shpinës së operatorit Ardian Kamberi ndodhen mijëra ushtarë ukrainas që kanë ardhur të mbrojnë kryeqytetin”, raporton ai duke theksuar se po shoqërohen nga ushtarët ukrainas gjatë raportimit të tij, të cilët kujdesen edhe që të mos filmohen ato që shihen sekret.

“Këtu ku jemi ne pritet të jetë vija e dyta e mbrojtjes nëse thyhet vija e parë, ajo ku ishim më herët”, tha Kopliku.