Shumë procese të afrimit dhe pajtimit mes popujve zhvillohen nën ombrellën e trashëgimisë kulturore. Kjo për shkak se trashëgimia përfaqëson identitetin e popujve, duke qenë përbërës qendror i kujtesës.

Ndonëse kanë kaluar dy dekada që nga lufta, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi.

Artefaktet janë marrë në rrethanat e luftës, ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare, prandaj këtë çështje institucionet po e bartin në forume ndërkombëtare, profesionale e ndërqeveritare.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, më 19 maj të vitit të kaluar i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi.

Vitin e kaluar në maj kam bërë kërkesë për kthimin e artefakteve tona, ndonëse të marruar nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Beograd, ende nuk kemi marr përgjigje. Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”, ka thënë Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci.

Ai ka treguar se në vitin 2002 vetëm Hyjnesha në fron është kthyer.

Në vitin 2002, vetëm Hyjnesha në fron i është kthyer Kosovës me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit, Michael Steiner”, ka treguar ai.

Ai ka shtuar për Demokracia.com se për kthimin e artefakteve  nga Beogradi, bëjnë kërkesa të vazhdueshme në takimet që kanë me përfaqësues të vendeve mike të Republikës së Kosovës. Muzeu Kombëtar i Kosovës, sipas tij, do t’i ndjekë rrugët ligjore deri sa të realizon këtë kërkesë të ligjshme, pra kthimin e artefakteve në Kosovë.

Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, etnokulturës, folklorit, trashëgimisë, etj. Aktualisht, muzeu është duke u angazhuar në rikthimin e mbi 1247 objekteve/artefakteve të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës të marra nga Beogradi gjatë vitit 1998.