Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se Policia sot ka zbuluar një laborator droge në veriun e Mitrovicës dhe lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona shtetas të Kosovës me etni serbi.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla i ka publikuar edhe pamjet e laboratorit me 30 kilogram drogë që dyshohet të jetë e llojit marihuanë. 

“Ky është aksioni i dytë i suksesshëm i Policisë në veriun e vendit vetëm brenda kësaj jave pas atij për bllokimin e rrugëve të kontrabandës. Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë kriminalitetin në çdo cep të Republikës do të vazhdojmë pa pushim, pa kompromis. Vendi ynë do të bëhet vend i qetë dhe i sigurt për gjithë qytetarët e saj”, thuhet në shkrimin e tij.