Vëllezërit Vitali dhe Wladimir Klitschko janë mjaft aktivë në rrjetet sociale.

Ish-kampionët e botës në boksin profesionist e kanë postuar një video sot, ku flasin për luftën që nisi sot në Ukrainë, e cila po sulmohet ushtarakisht nga Rusia.

Ata bëjnë thirrje që të mbrohet toka ukrainase, ndërsa kërkojnë edhe mbështetje nga ndërkombëtarët.

“I ftojmë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që ta vëzhgojnë dhe ta shohin këtë tragjedi që po ndodh në Ukrainë dhe këtë luftë pa kuptim dhe pa sens, e cila nuk do të ketë as fitues as humbës. Duam t’ju themi se ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër këtij agresioni, kundër agresionit rus. Mos e leni të ndodh kjo në Ukrainë, të ndodhë në Evropë, dhe eventualisht edhe në botë. Së bashku jemi më të fortë, mbështeteni Ukrainën”, thonë vëllezërit Klitschko.

“Sot është një tragjedi e madhe – jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën dhe botën. Forcat e Armatosura të Ukrainës po mbrojnë me heroizëm tokën tonë.

Ne në Kiev sigurojmë funksionimin e infrastrukturës kritike të kryeqytetit. Ne bëjmë gjithçka për ta mbrojtur qytetin tonë. Qëndrueshmëri dhe vendosmëri. Unitet dhe mendje e ftohtë! Vetëm kështu do të mbijetojmë! Lavdi Ukrainës!”, shkruan në postimin e vëllezërve ukrainas, të cilët kanë vendosur ta mbrojnë vendin e tyre duke iu bashkuar ushtrisë ukrainase.