Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se qëllimi i Rusisë është destabilizimi i rajonit dhe jo vetëm Ukrainës. Ajo është shprehur se ndërsa shihet situata me Ukrainën, flitet edhe për situatën me Kosovën, për shkak të tendencave të Rusisë për destabilizim të rajonit.

“Çfarë po ndodhë tani në Ukrainë? – nuk është vetëm një krizë që po ndodhë vetëm në Ukrainë, por është një krizë dhe një betejë mes vlerash. Vlerat e lirisë dhe demokracisë në njërën anë kundër autokracisë, të cilat po shfaqen në mënyrën më të ashpër më barbare”, tha Osmani.

“Duke u marrë me Ukrainën, ne po merremi me vetveten tonë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha ajo..

“Për shkak se tendenca ruse për destablizim, nuk është vetëm tendencë ndaj Ukrainës, por është një tendencë ndaj gjithë rajonit”, shtoi Osmani.

Rusia filloi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës të enjten, herët në mëngjes, duke bombarduar qytete dhe baza ushtarake nga ajri dhe toka, ndërsa banorët ukrainas u dyndën nëpër trena për t’u larguar.

Qeveria e Ukrainës thotë se tanket dhe trupat ruse kaluan kufirin duke filluar një sulm frontal, që mund të ndryshojë rendin gjeo-politike, me pasojat që kanë filluar të ndihen tashmë në mbarë botën.