Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në Twitter se forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e termocentralit bërthamor të Çernobilit.

“Forcat pushtuese ruse po përpiqen të kapin Chernobilin [Centralin Bërthamor]. Mbrojtësit tanë po sakrifikojnë jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, shkroi Zelensky në Twitter.

“Kjo është një deklaratë lufte kundër të gjithë Evropës”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Ukrainës i bëri jehonë paralajmërimit të Zelensky, duke postuar në Twitter se një sulm rus në Ukrainë mund të “shkaktojë një tjetër fatkeqësi ekologjike”.

“Në vitin 1986, bota pa fatkeqësinë më të madhe teknologjike në Çernobil”, shkroi ministria në Twitter. “Nëse Rusia vazhdon luftën, Çernobili mund të ndodhë sërish në vitin 2022”.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, i bëri jehonë komenteve të mëparshme të Zelenskit se forcat ruse kishin tentuar të merrnin kontrollin e termocentralit bërthamor të Çernobilit, duke shtuar se Garda Kombëtare e Ukrainës po punon për të mbrojtur centralin bërthamor nga sulmet.

“Ata bënë një përpjekje për të kapur termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe lufta po shkon pikërisht atje me Gardën Kombëtare të Ukrainës që mbron stacionin e Çernobilit nga sulmi”, tha Markarova gjatë një konference për shtyp.

“Për herë të parë që nga katastrofa bërthamore e Çernobilit – pas së cilës Ukraina ka mbrojtur, së bashku me miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë, botën nga një fatkeqësi tjetër bërthamore – ne duhet ta mbrojmë atë përsëri nga forcat ruse”, shtoi ajo.