Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati ka thënë se ndaj Rusisë është dashur që të vendosen sanksione të ashpra në aspektin ekonomik, politik dhe diplomatik.

Kastrati ka thënë se Rusisë duhet që t’i jepet një mesazh i qartë që të tërhiqen nga Ukraina.

“Mendoj që është dashur që të merren masa dhe sanksione ekonomike, politike, diplomatike dhe në këtë mënyrë ta përçojnë një mesazh të qartë ShBA-të, BE dhe shtetet e NATO-s që një veprim i tillë që është sot është ndërmarrë nuk do të lejohet. Mendoj që prapë se prapë tash duhet që të vendosen sanksione më të ashpra që t’i jepet një mesazh Putinit dhe Rusisë në përgjithësi që të tërhiqen nga Ukraina”, ka thënë ai.

Ai tha se Rusia nuk do të ndalet derisa ta okupojë në tërësi Ukrainën.

“Unë e shoh që ushtria e Rusisë nuk do të ndalet derisa ta okupojë Ukrainën. Faktikisht lexova që kanë okupuar aeroportin e Kievit, e kanë marr Çernobilin dhe i kanë marr disa pika strategjike. Besoj që shumë shpejtë kjo ushtri që është jashtëzakonisht e fuqishme, dalëngadalë do të përparojë dhe do të vijë në kryeqytetin e Ukrainës. Mendoj që qëllimi është okupimi i Ukrainës dhe vendosja e një qeverie pro-ruse”, tha ai.

Sipas Kastratit për momentin Rusinë nuk mund ta ndalojë askush.

“Mendoj që për momentin nuk mund ta ndalë askush. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, sepse po të ishte anëtare e NATO-s, sepse po të ishte të gjitha shtetet e NATO-s do ta ndihmonin”, ka thënë ai.

Ai tha se ka gjasa që Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë, por do të zgjerohet edhe në shtetet e tjera.

“Frika është që Rusia nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë por do të vazhdojë edhe më tutje. Jeni dëshmitarë se ditëve të kaluara edhe Polonia ka qenë në stres, se mos ka qëllim Rusia që të zgjerohet edhe më tutje. Por, NATO-ja ka filluar që të forcohet dhe të marr hapa konkret”, tha ai.