Tarifat e energjisë elektrike do të shqyrtohen sërish në fund të këtij viti. 

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Petrit Pepaj.

Sipas Pepajt, shqyrtimi i rregullt tarifor do të bëhet në mesin e dhjetorit të këtij viti. 

“Proceset e rregullta të shqyrtimeve tarifore për ndërmarrjet e rregulluara për vitin 2023 fillojnë ne mesin e dhjetorit të këtij viti. Në këtë kuptim ne nuk mund te gjykojmë tani se si do te jenë tarifat në vitin 2023”, ka thënë Pepaj.

Ai e ka konfirmuar se paratë e ndara nga Qeveria për subvencionim të tarifave janë vetëm për këtë vit. 

“I tërë subvencioni i qeverisë është reflektuar ne tarifat për këtë vit, ky subvencion ka bërë që : a) Tarifat për konsumatorët jo familjar, në kuadër të Shërbimit Universal  të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. 

b) Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kËh në muaj, të mbesin të njëjta si vitin e kaluar, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kËh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent”, thuhet në përgjigjet e Pepajt.

Ndryshe, tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi dje dhe do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.

Me tarifat e reja, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.

Ata do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.

Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kËH nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kËh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.

“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kËh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kËh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE’ja.