Partia Socialdemokrate (PSD) ka ftuar në takim të gjitha partitë opozitare për kundërshtimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Këtij takimi i janë përgjigjur AAK-ja, AKR-ja dhe Nisma. Kurse LDK dhe PDK si partitë më të mëdha nuk janë të pranishme në këtë takim.

Në këtë takim i cili është duke u zhvilluar përveç partive po marrin pjesë edhe sindikata të ndryshme në vend, të cilët njëzëri po e kundërshtojnë shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike.

Nga PSD-ja të pranishëm janë kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, Qëndron Kastrati dhe Teuta Rrusta.null

Se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Molliqaj e ka komentuar edhe zëdhënësi i partisë, Faton Abdullahu. 

Ai tha se vlerëson edhe partitë jashtë parlamentit por që veprimet e subjektit më të madh opozitar janë ato që duhet ndjekur duke nënkuptuar se s’do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga PSD-ja.

“Ne, si PDK po diskutojmë edhe veprime të tjera jashtë Kuvendit për të kundërshtuar vendimin skandaloz të ZRRE-së dhe të Qeverisë Kurti dhe shpresojmë se ato do të mbështeten nga të gjitha subjektet dhe organizatat që janë në linjë të njejtë me këtë kundërshtim. Ne e ruajmë vlerësimin parimor edhe për partitët jashtë-parlamentare, por besojmë se veprimet tona janë ato që duhen ndjekur. Andaj, ne jemi të bindur se obligimi ynë është që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të cmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personalë”, tha Abdullahu.

Edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka deklaruar për Express se LDK-ja e vlerëson iniciativën e partive jashtë parlamentit për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës por që s’do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Siç jeni të informuar LDK ka iniciuar një sërë aktivitetesh për të parandaluar shtrenjtimin e rrymës. Duke filluar nga propozimet e dërguara në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Ekonomisë. Sa i përket takimit, LDK vlerëson dhe respekton iniciativën e çdo formacioni politik dhe jo politik për të kundërshtuar këtë shtrenjtim. Kurse ne padyshim do të vazhdojmë me veprime konkrete institucionale kundër këtyre vendimeve të cilat po e rëndojnë jetën e qytetarëve”, tha ajo.