Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 30 vjeçar në Prishtinë, i dyshuar për disa raste të grabitjeve të armatosura.

Ai dyshohet se është përfshirë në rastet e grabitjes të ndodhura gjatë këtij viti.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka intensifikuar ndërmarrjen e masave policore, operative e hetimore për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale si dhe goditjen e individëve dhe grupeve kriminale. Fokus të veçantë ka marrë organizimi i punës policore për zbardhjen e veprave kriminale të grabitjes, identifikimi si dhe arrestimi i të dyshuarve të implikuar në veprat e tilla”, thuhet në komunikatën e PK-së.

“Progresi i hetimit policor për këto raste ka rezultuar me ndërmarrjen e një operacioni nga ana Hetuesve Rajonal, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar; L. S, mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në tri raste të grabitjeve të armatosura dhe një tentim grabitje. Raste këto të ndodhura gjatë këtij viti, në lagjen Lakrishte dhe Emshir”, thuhet tutje në njoftim.

Në komunikatë thuhet se, pjesë e operacionit, ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar, i cili është realizuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.

“Policia aty ka gjetë dhe sekuestruar një armë zjarri, 14 fishekë si dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si prova për rastet”.

Ndaj të dyshuarit, me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, përderisa po vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë.