Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se ZRrE ka rritur çmimin e energjisë elektrike nën urdhrin e Qeverisë së Kosovës. Ai tha se vendimi i sotshëm për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat në orë është vendim i qeverisë Kurti i kamufluar përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Abdixhiku deklaroi se vetëm tarifa e lirë e energjisë ka pësuar rritje për 104%. 

“Kjo konferencë është si rezultat i vendimit të sotëm të bërë publik, vendim i Qeverisë, i kamufluar nën petkun e ZRrE-së për shtrenjtimin astronomik të energjisë elektrike në Kosovë. Ky vendim i kamufluar përmes ZRrE-së, parasheh që çdo shpenzim mbi 800 kilovat në orë do të paguajnë tarifën e shtrenjtë nga 6.75 cent sa është sot në 12.5 cent, pothuajse dyfshi më shtrenjtë. Ndërkaq tarifën e lirë nga 2.89 cent sa është sot në saktësisht 5.9 cent apo 104% më shtrenjtë”, ka thënë ai.

Për sa i përket qeverisë, lideri i LDK-së tha se kryeministri Albin Kurti i ka injoruar brengat e qytetarëve. 

“Ndryshimet simbolike të ZRrE-së të diktuara nga qeveria Kurti i injorojnë me arrogancë brengat e qytetarëve tanë. Këto brenga janë shtuar që nga dita e parë e paralajmërimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe janë shpërfillur pa ndonjë arsyetim nga propozimet e dërguara të qeverisë”, ka thënë më tutje Abdixhiku. 

Lidhur me ndryshimin e vendimit të ZRrE-së që shtrenjtimi i rrymës të bëhet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë nga 600 kilovat siç ishte rekomanduar në fillim, Abdixhiku tha se është një diferencë simbolike.

“Diferenca nga 600 kilovat në orë në 800 kilovat në orë, e nga 14 cent sa ishte në fillim në 12.5 cent, është diferencë simbolike pra diferencë e pavërejtshme. Qeveria Kurti ka refuzuar të dëgjojë për papërballueshmërinë e qytetarëve tanë të gjitha atyre që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë, e që janë ¼ e popullsisë së Kosovës”, tha ai.

Disa fjalë ai i pati edhe për kryeministrin Kurti. Ai tha se zgjidhje të mirë nuk mund të ofrojë një kryeministër që mendon se rryma është e lirë.

“Natyrisht që zgjidhje të mirë nuk mund të jap një kryeministër që mendon se rryma është e lirë. Ai që mendo se rryma është e lirë s’mund të jap zgjidhje të mirë. Zgjidhje të mirë nuk mund të jap një kryeministër që breng e ka se si t’i gjejë paratë për buxhet. E jo ku do të gjejnë qytetarët tanë paratë për ta përballuar këtë krizë të madhe”, tha ai. 

Abdixhiku ka konfirmuar se kanë nisur mbledhjen e 40 nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e sotëm të  ZRrE-së.

“Kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve, 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që Kuvendi të dalë me qëndrim që e refuzon këtë vendim të ZRrE-së. Do të kërkojnë edhe shkarkimin e Bordit të ZRrE-së të vendosur nga qeveria Kurti e që gjatë kësaj kohe kanë treguar jokompetencë të plotë”, ka thënë ai.