Prokuroria Speciale përveç dëshmisë shfajësuese të ish-ambasadorit të OSBE’së, Dan Everts kishte fshehur edhe një provë tjetër në rastin e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Avokati i Thaçit, George Kehoe akuzoi Prokurorinë se ia ka fshehur Gjykatës edhe një letër nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që përmbante fakte shfajësuese.

“Ky nuk është incident i izoluar lidhur me atë që ata nuk kanë dorëzuar pasi që është edhe një letër marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i datës 4 maj të vitit 1999 nga Barbara Larkins, asistente e punëve legjislative drejtuar senatorit Michel. Çfarë i thonë një senatori në Senatin e SHBA-së? Nuk ka strukturë politike apo komandë efikase të UÇK-së. Ata i kishin këto komente. A mos e dorëzuan këtë? Jo. Me kënaqësi mund të ju jap një kopje të kësaj letre“, tha avokati Kehoe.

Ai tha po ashtu se janë fshehur edhe shumë dëshmi. Keohe tha se kontrolli i materialeve duhet të bëhet nga një tribunal i paanshëm, sepse nuk ia kanë besën ZPS’së.

Keohe ka pyetur pse u lanë jashtë materialet shfajësuese.