Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me iniciale P.L, N.SH dhe E.B., për shkak të dyshimit se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

KOHA mëson se bëhet fjalë për rastin e 53 milionë eurove shtesë të cilat Ministria e Infrastrukturës me në krye ish-ministrin e saj, Pal Lekaj i kanë ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Dy të akuzuarit tjerë janë Nebih Shatri, ish-zyrtar i Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha, shef i kabinetit të Lekajt.

Në vitin 2019 është raportuar për hetimet ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe shefit të kabinetit të tij, Eset Berisha.

Ndërkohë KOHA ka raportuar dy ditë më parë se Prokuroria brenda shumë pak ditëve do të vendoste për këtë rast, në të kundërtën do të pushonin hetimet ndaj dy ish-zyrtarëve qeveritarë.