Komuna e Prishtinës ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare dhe akterë të tjerë profesionalë të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacakë.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, e quajti atë me rëndësi shumë të madhe për aspektin e çështje së sigurisë së Prishtinës dhe regjionit.

“Ideja ka qenë që kjo të jetë një tryezë e parë e cila ka me qenë në vazhdimësi, pra e rregullt derisa ta vënë në kontroll problemin me të cilin hasemi me qentë endacak. Pikat të cilat i shqyrtuam është se komunat duhet të punojnë së bashku, pra problemi nuk mund të zgjidhet vetëm në nivelin lokal në Komunë e Prishtinës, por duhet të jetë një bashkëveprim rajonal. Një bashkëveprim gjithë shtetërorë për zgjidhjen e problemeve të qenve endacak” u shpreh Rama në një konferencë për media pas takimit.

Gjithashtu bëri të ditur se do të krijohet një “Focus Group” dhe të ketë një ndërlidhshmëri të nivelit lokal me atë qendror, me organizatat joqeveritare dhe me ndërkombëtarët.