Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka thënë se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin konsultativ për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi ka sqaruar se për procesin gjyqësor që është ZRRE sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.

Po ashtu, ai ka theksuar se gjatë këtij viti ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm në bazë ligjore për caktimin e tarifave, për të reflektuar kostot e sistemeve.

Sipas Fejzullahut, Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë dhe se gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të rrymë.

“Me kapacitet ekzistuese, prej 1,300MWh ka kaluar në 1,400MWh në periudhën e dimrit, në muajin dhjetor, e që është piku maksimal jo vetëm që nga paslufta, ky është piku maksimal që është arritur në Kosovë. Diferenca e kësaj sasie të energjisë është dashur të importohet me çmim nga 7 here deri në 8 herë më lartë me çmimet e importit në katër vitet e kaluara, e mos të flasim që çmimet e gjenerimit janë 10 herë më të shtrenjta se ai i çmimit vendor”, tha Fejzullahu.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka pyetur kryesuesin e Bordit të ZRRE-së se kush është autor i këtij raporti për rritjen e tarifave.

Shala po ashtu ka pyetur se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.

“Ka ndërhyrje nga ana e Qeverisë në ZRRE, nuk ka bazë ligjore”, tha Fejzullahu.

Pas kësaj, Fejzullahu tha se autor janë ZRRE dhe Rordi i saj është përgjegjës për këtë raport. 

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do t’i dërgojnë komentet lidhur me raportin e fundit konsultativ të ZRRE-së.

“Ne do t’i dërgojmë komentet tona. ZRRE është institucion i pavarur. Ta zëmë se unë nuk e kam numrin e kryesuesit të Bordit, mirëpo ministrat e linjës dhe nga Kuvendi i Kosovës do t’i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRRE-së, bazuar në raportin e vet t’i trajtoj sugjerimet”, ka theksuar Kurti.