Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se prania e madhe e qenve endacakë është problem për qentë dhe mirëqenien e tyre, por që është kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve. Sipas tij, ky problem duhet të trajtohet nga rrënjët e tij, me qëllim të ofrimit të zgjidhjes së qëndrueshme dhe efektive.

“Besojmë që zanafilla e problemit është te mosmenaxhimi dhe kontrolli i qenve me pronarë, mbarështimi i pakontrolluar i tyre, si dhe shitja dhe importi nga vendet fqinje. Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal, pritet që të koordinojë dhe mbështesë nivelin lokal me ngritje të kapaciteteve për zbatimin e mirëfilltë të masave për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar”, ka deklaruar ai në tryezën për diskutim të Strategjisë për trajtimin e qenve endacakë.

Ai përmendi edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe të Financave, Punës dhe Transfereve për të dhënë kontribut në menaxhimin e qenve pa pronarë

Kurti tha se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës (AUVK), duhet të krijojë një plan për inspektimet e mirëfillta të mbajtjes së kafshëve si dhe identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronarë. Oda e Veterinarisë “pritet që së bashku me AUVK-në dhe me Qeverinë të shpërndajnë mikroçipat dhe pasaportat nga AUVK”.

“Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror. Ne duhet të trajtojmë këtë problem nga rrënjët e tij, për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive. Besojmë që zanafilla e problemit është te mos menaxhimi dhe kontrolli i qenve me pronarë, mbarështimi i pakontrolluar i tyre, si dhe shitja dhe importi nga vendet fqinje”, ka thënë tutje kryeministri Kurti.