Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas raportit të Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit ku Kosova është përmirësuar për tri pikë dhe 17 vende në renditje. Edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj ka thënë se rekomandimet e raportit të Transparency International, do të shndërrohen në objektiva pune të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se po marrin sinjale optimiste në zotimin e tyre për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, ku veprimet e qeverisë së tij po vlerësohen pozitivisht nga Transparency International.

“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga pozita 104 në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozitën e saj për 17 vende. Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj ka thënë se rekomandimet e raportit të Transparency International, sipas të cilit Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, do të shndërrohen në objektiva pune të Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në një komunikatë për media të AKK-së, thuhet se Buleshkaj është zotuar se AKK do t’i trajtojë me seriozitet dhe përkushtim rekomandimet e dala nga raporti i Transparency International.

“Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit z. Yll Buleshkaj, është zotuar se AKK do t’i trajtojë me seriozitet dhe përkushtim rekomandimet e dala nga raporti i Transparency International, duke ngritur efikasitetin e veprimeve të AKK-së në parandalimin dhe luftimin e Korrupsionit në Kosovë, të përqendruara në deklarimin e pasurisë, parandalimin e konflikti të interesit dhe mbrojtën e sinjalizuesve. Rekomandimet e Raportit të Transparency International do të shndërrohen në objektiva pune të Agjencisë kundër Korrupsionit”, ka thënë Buleshkaj.

Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, ku Kosova ka shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita, nga pozita 104 që ndodhej vitin e kaluar këtë vit shteti ynë renditet në pozitën e 87-të.

Përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit e kanë përshëndetur zyrtarë të BE-së e ambasadorë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e quajti këtë përparim të Kosovës si një shpërblim të vogël për të gjithë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde e ka përshëndetur këtë arritje të Kosovës.

“Lajm i mirë! Kosova bën përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit! Në indeksin e Transparency International, Kosova është përmirësuar me 17 vende dhe tani renditet në vendin e 87-të. Është inkurajuese që Kosova më në fund filloi të ecë në bisedime për të luftuar seriozisht korrupsionin. Vazhdoni kështu! Kosova ka mbështetjen e plotë gjermane”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Ambasada franceze e ka quajtur lajm të mirë përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se Franca e mbështet plotësisht Kosovën në këtë sferë.