Ambasada e Francës në Kosovë, ka përgëzuar Kosovën për progresin e shënuar në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit është edhe një prej kushteve që kërkohet për liberalizimin e vizave, e të cilin Parisi zyrtar vazhdimisht e përmend si fushë ku Kosova duhet të bëj ende progres.

Përmes një postimi në Twitter ambasada franceze në Kosovë ka thënë se Franca e mbështet plotësisht Kosovën në luftën kundër korrupsionit.

“Lajm i mirë. Kosova shënon progres duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Duhet vazhduar këtë progres. Franca e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, thuhet në postim.