Eshtrat e Nuredin Dvoranit, i cili ishte zhdukur 23 vjet më parë, më 30 prill të vitit 1999, do të rivarrosen sot në fshatin Tërstenik të Komunës së Drenasit.

Eshtrat e tij janë gjetur dhe zhvarrosur nga lokacioni i varrezës masive në Qirez të Skenderajt dhe tanimë janë identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, rivarrosja do të bëhet sot në ora 14:00.

Nuredin Dvorani ishte në moshën 17 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.