Për shkak se nuk përkrahjen e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të grumbulluar 2/3 e nevojshme, marrëveshja për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Kjo marrëveshje nuk është miratuar pasi mori 75 vota për, 8 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se vlera totale e kësaj marrëveshje pritet ta kap shumën deri në 47 milionë euro.

Murati tha se kjo do t’ia mundësojë qeverisë që të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale.

“Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejt familjeve në nevojë si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që të krijohet mundësia që të krijohet mundësia që në të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale në raport me nevojat e qytetarëve”, tha Murati.

Partitë opozitare përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë mbështetur këtë marrëveshje.

Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se kjo marrëveshje lidhet me rishikimin e skemave sociale, por sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë të merret kredi për skema sociale.

Hoti tha se nuk do ta mbështesin këtë marrëveshje edhe pse sipas tij skemat sociale në Kosovë duhet të rishikohen, pasi Hoti thotë se ka qytetarë që i plotësojnë kushtet e nuk janë në skema sociale dhe anasjelltas.

“Të merret kredi për skema sociale nuk ka ndodh asnjëherë…. Çfarë shteti jemi ne që me të hyrat që mbledhim mos të arrijmë t’i paguajmë skema sociale e shpenzime elementare në arsim, e shëndetësi”, tha Hoti.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se grupi i tij parlamentar e mbështet këtë marrëveshje.

Besnik Tahiri kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e mbështesin këtë marrëveshje. Por Tahiri tha se në të dhënat e vitit të kaluar, ka pasur rritje të madhe të numrit të familjeve që i janë shtuar skemës sociale.

“Ne si grup parlamentar propozojmë që mos të ketë pozicion uniform me komunat duke e ditur se qyteti me më së shumti familje që janë në skemë sociale sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës është Mitrovica me 2 mijë e 438 ndërsa më e vogla është Mamusha me 18 sosh”, shtoi Tahiri.