Policia e Kosovës ka shtuar angazhimin për zbatimin e masave anti-COVID-19.

Edhe pse masat e reja e ndërmarra sot nga Qeveria, hyjnë në fuqi zyrtarisht nga dita e nesërme, Policia ka njoftuar se tashmë ka të hartuar planin operativ.

Në fotografitë që ka publikuar vetë Policia, shihet që janë të angazhuar edhe njësi speciale me Kallashnikov, duke bërë kontrolle tek makinat, nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë.

“Policia edhe tani, me marrjen e masave të reja, do të angazhohet në zbatim të vendimit dhe detyrave që bien në fushë-veprimin e policisë. Andaj, kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të zbatojnë masat në të mirë të shëndetit publik në mënyrë që të gjithë së bashku ta kalojmë sa më lehtë edhe këtë valë. Policia do të vazhdojë aktivitetet policore dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj aryre që nuk zbatojnë masat”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Qeveria e Kosovës sot ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Sipas masave që hyjnë në fuqi që nga nesër, ora policora është zgjatur, përkatësisht është caktuar nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Deri më tash ka qenë nga ora 00:00.