Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ka shkarkuar sot Ngadhnjim Kastratin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Në vendimin e bordit thuhet se Kastrati u shkarkuar nga kjo pozitë për shkak se ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në. 

Sipas bordit, Kastrati ka dështuar që për gati tre vite të mandatit të tij të hapë konkurs për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionimin e duhur të RTK-së. 

Bordi po ashtu ka gjetur shkelje në emërimin e ushtruesit të detyrës së kryeredaktorit të RTK-së, i cili ka qëndruar në këtë pozitë nga viti 2019, duke shkelur kështu Ligjin për RTK-në që parasheh që një ushtrues detyre të jetë në këtë pozitë, jo më gjatë se gjashtë muaj. 

Në vendimin 10 faqësh për shkarkimin e Kastratit janë paraqitur të gjitha shkeljet që pretendohet se janë kryer nga ai, sa ishte në krye të televizionit publik.

Bordi i RTK-së emëroi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, redaktor shumëvjeçar në RTK.