Para Dhomave të Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, po dëshmon ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, i cili është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezary Mihailzcuk, rreth njësisë BIA, për të cilën tha se i është përgjigjur Zonës Operative të Llapit. 

Sopi ka thënë se komandanti i njësisë BIA ka qenë Salih Mustafa i njohur me nofkën Cali dhe sipas tij roli i kësaj njësie ishte sikur i gjithë njësive të tjera të UÇK-së, çlirimi i vendit nga pushtuesi serb.

Fatmir Sopi ka thënë se kjo njësi e ka marrë emrin në nderim të heronjve Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani dhe se e njëjta është njohur si “Skifterët”.

Ai ka thënë se BIA e ka pasur një vend qëndrimi në fshatin Zllash në një shtëpi pronarët e së cilës nuk banonin më aty.

“Unë nuk kam qenë përgjegjës kush kujt i raporton, mirëpo në bazë të organogramit të Zonës Operative të Llapit e kam vërejt se njësitë BIA ju kanë përgjigjur Zonës Operative të Llapit, komandës së Zonës Operative të Llapit… Rolin më specifik të njësitit BIA më së miri e shpjegon vetë përfaqësuesi i njësitit BIA, ndërsa unë sa kam mujt me kuptu ka qenë pjesë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur të gjitha njësitet e tjera në Zonën Operative të Llapit. Rolin e çdo ushtari dhe çdo njësie unë nuk mund ta di, por e di se kanë punuar në bazë të urdhrave dhe në bazë të rrethanave të kohës që të japin kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e vendit”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari ka thënë se nuk ka informata se ku saktësisht e ka ushtruar aktivitetin njësia BIA.

“Pjesë e detyrës së secilit ushtar të UÇK-së ka qenë që të vëzhgojnë lëvizje të armikut, lëvizje të ndryshëm të armikut që kanë mundur të rrezikojnë popullatën e shumtë që ndodhej në atë kohë në Gollak dhe kështu kemi vjelë informata të vlefshme për lëvizjet eventuale të armikut në drejtim të pozicioneve të UÇK-së dhe të popullatës civile e cila në atë kohë në Gollak ishte në një numër shumë të madh, mijëra e mijëra vetë të cilët serbët i kishin përzënë prej shtëpive të tyre në Prishtinë dhe të cilët i kishin përzënë në drejtim të fshatrave të Gollakut, po ashtu një pjesë të fshatrave dhe të qytetit të Podujevës.”

“Kështu që ne kemi qenë të interesuar që t’i dimë lëvizjet eventuale të ushtrisë dhe policisë serbe që të mos kemi humbje të mëdha në radhët e popullatës civile. Çdo informatë e vlefshme që do të na vinte për lëvizjet eventuale të armikut do të ishte e mirëseardhur për përgatitjen tonë për mbrojtje”, ka thënë Sopi.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sopi ka thënë se ka qenë i përfshirë në formimin e Brigadës 153 e cila siç ka thënë ai është themeluar në shkurt të vitit 1999.

“Brigada, thirrjet organizative të saj i ka nga njësitet tona që i kemi formuar pothuajse nëpër të gjitha fshatrat e Gollakut dhe me plotësimin e kushteve, me plotësimin e radhëve me ushtarë të nevojshëm dhe kur Zona Operative e Llapit e ka parë të arsyeshme se janë plotësuar kushtet për zyrtarizimin e kësaj brigade dhe themelimin e saj është caktuar data nuk më kujtohet, në shkurt të vitit 1999”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se zyrtarizmi i kësaj brigade është bërë në shtëpinë e tij.

“Kjo ngjarje (zyrtarizmi i Brigadës 153) ka ndodhur në shtëpinë time e cila shërbente aso kohe si shtab i UÇK-së i Brigadës 153. Shtëpia ime ndodhej në Zllash, një lagje e fshatit Mramor… Në shkurt të vitit 1999 në shtëpinë time pikërisht në vendin ku shërbente si shtab i UÇK-së për Brigadën 153 erdhi përfaqësuesi i Zonës Operative të Llapit, zëvendëskomandanti i zonës, Kadri Kastrati, i cili bëri inaugurimin solem të Brigadës 153”, ka thënë Sopi.

Dëshmitari tutje ka thënë se Kadri Kastrati ka qenë përfaqësues i zonës, ndërsa është urdhëruar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa.

Ai ka thënë se të pranishëm në zyrtarizmin e brigadës kanë qenë edhe Rrahman Dini e Sejdi Veseli.

Sopi ka thënë se atë ditë nuk është emëruar komandanti i brigadës, por vetëm zëvendëskomandanti që sipas tij ishte, Sejdi Veseli.

“Unë, meqë merresha me organizimin e UÇK në terren dhe isha vazhdimisht në terren nëpër fshatra të ndryshëm të gollakut, u caktova të jem përgjegjës komandat i mbrojtjes civile”, ka thënë Sopi.

Pas ofensivës së 18 prillit të vitit 1999, Sopi ka thënë se nga Rrustem Mustafa është emëruar zëvendëskomandant i brigadës.

Tutje, prokurori e ka pyetur atë rreth Rrahman Dinit për të cilin Sopi, në një deklaratë të mëparshme për ZPS-në, kishte thënë se ishte anëtar i komandës së brigadës.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sopi ka thënë se Rrahman Dini ishte anëtar i shtabit, por nuk kishte ndonjë detyrë konkrete meqë kishte probleme shëndetësore.

“Rrahman Dini në fillim ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore kur kemi punuar bashkë në organizimin e radhëve të UÇK-së në pothuajse shumicën e fshatrave të Gollakut, mirëpo, ndërkohë gjendja shëndetësore e tij u keqësua dhe nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore nga mesi dhe përfundimi i luftës”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se shtabi i brigadës kishte lëvizur pastaj nga shtëpia e tij në atë të xhaxhit dhe më pas në një shtëpi të fqinjëve.

Ndërsa është pyetur për shkollën e Zllashit, Sopi ka thënë se ajo ndërtesë ka shërbyer si qendër stërvitore, por që aty nuk ka qenë i vendosur shtabi.

“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore, mirëpo shtabi i brigadës e ka pasur aty komandantin e qendrës stërvitore e shumë kush e ka identifikuar se ajo ka shërbyer si shtab, por ka qenë një zyre e komandantit të stërvitjeve, e përgjegjësve që kanë qenë për stërvitje të cilët kanë pasur zyre dhe ka qenë kuzhina për ushtarët të cilët kanë qenë në stërvitje, ndërsa në atë kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij, Sopi ka thënë se nuk kishte ndonjë njësi të veçantë të policisë ushtarake, por sipas tij në secilin batalion kanë ekzistuar nga tre apo katër ushtarë të cilët e kanë kryer detyrën e policit ushtarak.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun.

Ai ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut.

Ndërsa dhjetë dëshmitarë të ZPS-së janë dëgjuar deri tani në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës, të gjithë të mbrojtur.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.