Në javën e parë të muajit janar të këtij viti, numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë ka filluar një rritje të lehtë. Derisa gjatë ditëve të fundit, shifrat kanë shënuar rritje të dukshme. Tash e katër ditë, në të dhënat që publikon Ministria e Shëndetësisë për gjendjen me COVID-19, rastet pozitive janë mbi 500. Por, çka e ka shkaktuar këtë rritje enorme të rasteve?

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, ka deklaruar për Express se arsye e rritjes së shpejtë të rasteve gjatë dy javëve të fundit janë festat e fundvitit dhe prania e variantit Omicron të koronavirusit. 

“Arsyeja e rritjes së numrit të rasteve pozitive është prania e variantit Omicron në rajon dhe Europë. Omicroni ka aftësi të shpërndahet. Arsye tjetër janë edhe festat e fundvitit, pasi ka pasur lëvizje më të madhe”, ka deklaruar Vishaj. 

Vishaj tha se arsye tjetër e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus është edhe përhapja e madhe e COVID-19 në rajon. 

“Arsyeja tjetër është edhe vetë natyra e pandemisë. Kosova nuk mund të jetë pjesë e izoluar e rajonit dhe Europës. Çka ndodh në Europë është e mundshme të ndodh edhe në Kosovë”, ka deklaruar Vishaj.

Vishaj tha se duhet të respektohen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për respektim të masave anti-COVID dhe vaksinim. 

“Duhet t’i respektojmë rekomandimet duhet t’i pranojmë udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm duke i respektuar do ta kemi në kontroll situatën. I mbështesim edhe rekomandimet për marrjen e dozës përforcuese, pasi Omicroni po kalohet më lehtë me këtë dozë. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në situatë më të përballueshme”, ka deklaruar Vishaj. 

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të hënën se nga 7 mijë e 297 mostra të testuara për 24 orë, 728 kanë rezultuar pozitive me virusin COVID-19, duke çuar kështu në 5 mijë e 118 numrin e rasteve pozitive. https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FMinistria.Shendetesise.RKS%2Fposts%2F232837465686743&show_text=true&width=500

Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka paralajmëruar se mund të ketë përkeqësim të situatës epidemiologjike, për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. 

IKSHPK-ja ka bërë thirrje për vaksinim, për ta parandaluar përhapjen e COVID-19. 

“Të nderuar qytetarë! Ju lutemi vaksinohuni! Omicron (B.1.1.529) po shton intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues në qarkullim. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar IKSHPK.