Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, kryeministri, Albin Kurti, me presidenten, Vjosa Osmani, vizituan kullën e familjes Gërvalla në Dubovik të Deçanit.

Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve.

Nga aty Kurti e Osmani dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, ka deklaruar kryeministri, siç bëhet e ditur në një njoftim për media.

Tutje ai është zotuar se do të bashkëpunojë me shtetet e tjera, në veçanti me Gjermaninë, siç tha, që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve.

Sipas të parit të ekzekutivit bindjet, orientimi dhe qendra e tyre dihet, mirëpo emrat e përveçëm duhet të ndriçohen dhe të mundësohet drejtësia e ndëshkimi.

Derisa në nderim të tre veprimtarëve Kurti organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë në orën 17:00.