Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi sot ka konfirmuar se me 29 mars në Cyri të Zvicrës, Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Zvicrën në një miqësore luksi.

Tashmë gjithçka është zyrtare dhe takimi do të luhet në stadiumin “Letzigrund”.

Burime të afrëta me FFK-në i kanë thënë Demokracia.com se Primozh Gliha nuk do të jetë trajner i Kosovës dhe se me Zvicrën në bankinën e Dardanëve do të jetë trajneri i ri.

“Sigurisht që po. Kosova në atë takim do të jetë me trajnerin e ri”, ka thënë për Demokracia.com një burim i afërt me Kombëtaren e Kosovës.

Të kujtojmë se pas largimit të Bernard Challandes, Kosova në dy ndeshjet me Jordaninë (miqësore) dhe me Greqinë në kualifikime është udhëhequr nga trajneri slloven Primozh Gliha.

Deri më tash në opinion kanë qarkulluar disa emra të njohur që i janë afruar FFK-së për ta marrë drejtimin e Kosovës si Feliks Magat, Valter Zenga, Robert Carlos e Giannui De Biasi. Cili nga ta do të marrë drejtimin e Kosovës pritet të mësohet shumë shpejt.