Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në Kosovë ka qenë e qetë pavarësisht paralajmërimeve për mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë.

Përmes një komunikate, Policia ka bërë të ditur se situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, përjashtuar mbajtja e disa tubimeve dhe marshimeve në lokacione të ndryshme, në cilësi të shprehjes së pakënaqësisë ndaj moslejimit të mbajtjes së referendumit në Kosovë.

“Referuar informacioneve lidhur me paralajmërimet se më 16 janar 2022, një referendum për ndryshime kushtetuese i planifikuar të mbahet në Serbi do të organizohet edhe në Republikën e Kosovës (RKS), Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në bashkërendim me autoritetet kompetente, bazuar në aktet ligjore dhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të RKS-së si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend”, njofton Policia e Kosovës.

Policia thotë se ka pasur plan operativ në ruajtje të rendit kushtetues dhe se do të reagonte ne profesionalizëm nëse do të cenohej rendi.