Shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës ende nuk janë të pajisur me jelekë antiplumbë.

Policia e Kosovës ka mbi dhjetë mijë punonjës dhe prej tyre mbi tetë mijë janë zyrtarë të uniformuar. Nga ky numër i përgjithshëm, sipas Policisë së Kosovës, rreth 15 për qind janë të gjinisë femërore.

Në një përgjigje për Demokracia.com, Zyra e Informimit e Policisë së Kosovës thotë se policia posedon jelekë antiplumbë dhe se tani janë në fazën finale të pajisjes së të gjithë pjesëtarëve të saj.

Lidhur me pyetjet rreth pajisjes me jelekë antiplumb për pjesëtarët e PK-së, ju njoftojmë se PK-ja posedon jelekë antiplumb për zyrtarët e saj dhe është në fazën finale të pajisjes së të gjithë pjesëtarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com.

Ndërkaq, vitin e kaluar, Policia e Kosovës kishte planifikuar të blinte 600 copë jelekë antiplumbë të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumbë të jashtëm dhe 350 antiplumbë taktikë për Njësi Speciale. Që të gjitha do të kushtonin 3 milionë e 799 mijë e 800 euro.

Tenderi për blerjen e jelekëve antiplumb për zyrtarët policor është bllokuar tash e disa ditë pasi disa kompanitë ofertuese kanë shfrytëzuar mundësinë që të ankohen në Organin Shqyrtuese të Prokurimit për këtë çështje. 

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është jofunksional prej muajit mars, pasi anëtarëve u ka skaduar mandati. Prej kësaj periudhe, asnjë tender publik për të cilin ka pasur ankesa nuk ka mundur të ekzekutohet. Në anën tjetër, është rritur numri i kontratave të negociuara, pasi mundësitë e ankesës janë shumë më të vogla, shkruan Demokracia.com.

Ndërkaq, që nga qershori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur që të blejë jelekë antiplumbë për zyrtarë policorë, tender të cilin e kishte hapur në qershor të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës e ka hapur përsëri më 10 dhjetor konkursin e ri për anëtarë dhe kryetar të bordit të OShP-së, por votimi në Kuvend kishte dështuar për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kuorumit. Ndërsa, me 2 vota për, 64 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi nuk kishte arritur të emëronte kryetarin dhe 4 anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe herën e dytë. Në seancë ishte bërë e ditur se kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OShP-së janë Ardian Behra me 32.3 pikë, Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26 pikë.

Një prej kërkesave të Policisë së Kosovës për pajisje me jelekë antiplumbë, për të cilin ka hapur tender është antiplumb që vishet nën rroba, peshon më pak se 3 kilogramë dhe nuk është i dukshëm. Ndërsa, dy llojet tjera të antiplumbit, njëri 8 kilogramë dhe ai për Njësitë Speciale 10 kilogramë, vishen mbi uniformën policore dhe janë të dukshëm.