Organet shtetërore ukrainase u goditën të premten nga një sulm masiv kibernetik. Në mesazhin që u la nga hakerët drejtuar qytetarëve të Ukrainës, mes tjerash, thuhet që “ta presin më të keqen”. Ndërkohë Rusia njoftoi për ushtrime të reja ushtarake në lindje të territorit të saj.

“Ukrainas! Të gjitha të dhënat tua personale janë ngarkuar në rrjetin publik. Të gjitha të dhënat në kompjuterin tënd janë shkatërruar, është e pamundshme që të kthehen”, thuhet në mesazhin që shfaqet në uebfaqet e hakura qeveritare, të shkruar në gjuhën ukrainase, rusisht dhe polonisht.

“Të gjitha informatat rreth teje janë bërë publike, frikësohu dhe prite më të keqen. Kjo është për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde”, thuhet më tej në mesazh, shkruan Reuters.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës i tha agjencisë “Reuters” se është shumë herët të thuhet se kush mund të jetë prapa këtij sulmi kibernetik, por shtoi se Rusia ka qenë prapa sulmeve të ngjashme në të kalurën.

Rusia nuk komentoi menjëherë për këtë rast, por në të kaluarën ka mohuar se qëndron prapa sulmeve kibernetike kundër Ukrainës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e dënoi këtë sulm dhe tha se komiteti për politika dhe siguri i BE-së dhe njësitë kibernetike do të takohen për të parë se si do të përgjigjen dhe si ta ndihmojnë Ukrainën.

“Do t’i mobilizojmë të gjitha burimet tona për ta ndihmuar Ukrainën që ta luftojë këtë sulm kibernetik. Fatkeqësisht, e kemi ditur se kjo mund të ndodhte. Është vështirë të thuhet (se kush qëndron prapa). Nuk mund ta fajësoj askënd, pasi nuk kam dëshmi, por mund ta imagjinojmë”, tha kryediplomati i BE-së.