Një gjykatës amerikan ia ndaloi shqiptarit, Martin Shkrelit të merret me industrinë farmaceutike përgjithmonë dhe e urdhëroi të paguante 64.6 milionë dollarë pasi ngriti çmimin e Daraprimit dhe bllokoi konkurrentët gjenerikë.

Gjykatësja e qarkut amerikan Denise Cote në Manhatan vendosi pas një gjyqi ku Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA dhe shtatë shtete kishin akuzuar Shkrelin, themeluesin e Vyera Pharmaceuticals, për përdorimin e taktikave të paligjshme për të mbajtur rivalët jashtë tregut.

Në një vendim prej 130 faqesh, Cote fajësoi Shkrelin për krijimin e dy kompanive, Vyera dhe Retrophin Inc, të dizajnuara për të monopolizuar barnat, në mënyrë që ai të mund të përfitonte “mbi kurrizin” e pacientëve, mjekëve dhe shpërndarësve, raporton reuters.

Ajo tha se skema e Daraprim ishte “veçanërisht e pashpirt dhe shtrënguese” dhe duhej një ndalim i përjetshëm për shkak të “rrezikut real” se Shkreli mund të bëhej sërish shkelës i rregullave, transmeton Telegrafi.

“Sjellja antikonkurruese e Shkrelit në kurriz të shëndetit publik ishte flagrante dhe e pamatur”, shkruan në vendimin e gjyqtarit. “Ai nuk është penduar. Ndalimi i tij nga mundësia për të përsëritur atë sjellje nuk është asgjë nëse jo në interes të drejtësisë”, thuhet më tutje.

As avokatët e Shkrelit dhe as FTC nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Gjyqi pa juri u mbajt muajin e kaluar.

Shkreli vuan dënimin me shtatë vjet burg për mashtrim me letrat me vlerë. Ai nuk mori pjesë në gjyq.

Vyera u themelua në vitin 2014 si Turing Pharmaceuticals, dhe bleu Daraprim nga Impax Laboratories Inc në vitin 2015.

Rregullatorët akuzuan Vyeran për mbrojtjen e dominimit të Daraprimit duke siguruar që prodhuesit e barnave gjenerike nuk mund të merrnin mostra për versione më të lira dhe duke i mbajtur rivalët e mundshëm nga blerja e një përbërësi kryesor.

Shtatë shtetet që iu bashkuan çështjes FTC përfshinin Kaliforninë, Illinoisin, New Yorkun, Karolinën e Veriut, Ohio, Pensilvani dhe Virxhinia.