Në një raport të fundit të policisë ekuadoriane vlerësohet se që nga viti 2014 deri tani janë arrestuar në këtë shtet të Amerikës Latine 24 trafikantë ballkanas të kokainës kryesisht shqiptarë dhe malazezë ndërsa 4 të tjerë janë vrarë.

Në Nëntor 2020, persona të armatosur qëlluan për vdekje shqiptarin Adriatik Tresa në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tij, në zemër të qytezës bregdetare Guayaquil.

Në dekadën e fundit trafikantët shqiptarë, malazezë, rusë dhe spanjollë të drogës po operojnë se bashku si një kompani Holding e cila nënkontrakton shërbimet e bandave lokale për sigurimin e mbrojtjes, logjistikës, magazinimit, transportit të drogës dhe kur ju duhen vrasje me porosi.

Sipas raportit në periudhën 2017-2021 në Ekuador kanë hyrë 721 shqiptarë dhe 192 malazezë. Vlerësohet se ata vijnë në këtë shtet për t’i shërbyer kontrabandës së drogës.

Në vitin 2021, Policia e Ekuadorit sekuestroi 210 tonë drogë, nga të cilat 173 ishin kokainë, 45 tonë më shumë se një vit më parë.

Udhëheqësit e grupeve kriminale i drejtojnë operacionet kriminale edhe nga burgu. Evropa është tregu më i rëndësishëm i kokainës në botë ku çmimi për një kilogram varion nga 55,000 USD deri në 80,000 USD kurse në Shtetet e Bashkuara kushton vetëm 28,000 USD. Tregjet kryesore drejt të cilave shkojnë kontenierët me tonelata kokainë të fshehura në ngarkesat me banane janë Holanda, Belgjika, Shqipëria, Greqia dhe Spanja.