Gazi është bërë pjesë e përditshme e shfrytëzimit në ekonomitë familjare, po ashtu edhe për automjete.

Çmimi i gazit në Kosovë sillet 0.65 deri ne 0.75 centë për litër, ndërsa akciza për gaz paguhet 0.15 centë për litër. Sa i përket çmimeve të derivateve, në Kosovë janë më të ulëta në raport me Shqipërinë, por jo edhe me Maqedoninë e Veriut.

Nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se në periudhën janar-dhjetor 2021, janë importuar mbi 49 milionë litra gaz.

Në vitin 2021 në periudhën janar-dhjetor nga importi i rregullt për gaz janë importuar 49.928.214.89 litra gaz, vlera e të cilave arrin në 14.226.317.26 euro”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për Demokracia.com.

Ndërsa, në periudhën janar-dhjetor 2020, nga importi i rregullt janë importuar mbi 49 milionë litra gaz, vlera e të cilit është mbi 8 milionë euro.

Nga importi i rregullt i gazit në Kosovë në periudhën janar- dhjetor 2020, janë importuar 49.653.306.93 litra gaz, vlera e të cilit arrin 8.498.654.49 euro”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se sa i përket gazit, çmimi sillet 0.65 deri ne 0.75 centë për litër, kurse akciza për gaz paguhet 0.15 centë për litër.

Berjani ka thënë se importi për gaz është treg i hapur dhe me konkurrencë.

Ndër të tjera ai ka shtuar se sipas një hulumtimi të shoqatës së naftëtarëve, 98% e gazit përdoret për gastronomi, industri, ngrohje dhe vetëm 2% përdoret për automjete.

Ne kem kërkuar në qeveritë e kaluara që të hiqet akciza, por ka hasur në veshë të shurdhtë. Ne si shoqatë do t’i drejtohen kryeministrit Kurti që të hiqet akciza e gazit ku këtu përfiton më së shumti qytetari”, ka deklaruar Berjani.

Ndërkaq sa i përket importit të naftës, Dogana e Kosovës bën të ditur se në periudhën janar-dhjetor 2021, janë importuar mbi 728 milionë litra naftë në Kosovë.

Sasia e litrës së naftë që është importuar nga importi i rregullt në Kosovë në vitin 2021, janë 728.616.743.50 litra naftë, vlera e të cilës arrin në 320.461.968.58 euro në vit”.

Ndërsa, në vitin 2020 janë importuar mbi 602 milionë litra naftë, vlera e të cilës arrin në mbi 177 milionë euro.

Në vitin 2020 janë importuar 602.414.814.09litra naftë, vlera e të cilës arrin shumën e 177.035.807.13 euro”.

Ndërkaq, në vitin 2021 janë importuar mbi 84 milionë litra benzinë në tregun kosovar, ku vlera arrin mbi 38 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 importuar mbi 67 milionë litra benzinë në tregun kosovar, vlera e të cilës arrin mbi 19 milionë euro.

Berjani ka folur edhe për çmimet e derivateve në Kosovë.

Sipas tij, një litër naftë në Kosovë po tregtohet me 1.18 centë deri 1.27 centë, kurse e benzinës me 1.20 centë deri 1.29 centë.

Sot në Kosovë, çmimi i derivateve është 1.18 cent deri 1.27 cent për naftë, ndërsa për benzinën është 1.20 centë deri 1.29 centë. Kosova i ka çmimet e derivateve më të lira në regjion, në Shqipëri sot çmimi i naftës është 1.46 centë, benzina 1.49 centë dhe shtetet tjera janë me çmime më të larta, përveç Maqedonisë Veriore, që ka akcizë më të ultë, për 22 centë”, ka deklaruar Berjani.