Ish-Koordinatori Nacional për dialog dhe zyrtari i LDK-së, Skënder Hyseni, ka reaguar pas letrës që Sekretari Amerikan i Shtetit i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ku janë specifikuar saktë kërkesat amerikane sa i përket procesit të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hyseni, në një postim në Facebook, thotë se dialogu dhe marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë prioritet i parë i çdo Qeverie në Kosovë, derisa shton se pa vonesa ky proces duhet të rikthehet në binarë.

“Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka kritikuar pozitën dhe opozitën.

“Edhe pozita edhe opozita, aktualisht e fjetur dhe kalkulante e Kosovës, duhet ta kuptojnë se sot asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afagjate serbe dhe interesat ruse sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontestit Kosovë-Serbi, dhe rrjedhimisht mbajtja e Ballkanit Perëndimor në gjendje permanente shpërthimi!”, ka shkruar Hyseni.

Postimi i plotë i Hysenit:

“Mos luani me fatin dhe të ardhmen e Kosovës!

Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër

Që nga rinisja e dialogut me Serbinë në korrik 2020 Kosova ia kishte idalur ta vendoste në binarë adekuat komunikimin me botën rreth kësaj teme, duke mos lejuar që shteti ynë të ekspozohej ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kishin prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan.  Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit ishte rikthyer në binarë.

Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur.

Pra, është përgjegjësi e autoriteteve aktuale të Kosovës që dialogu me Serbinë, si një proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë është thelbësore dhe e domosdoshme për të përmbyllur kontestin e gjatë historik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në thelb është edhe kontest në mes të shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi.

Çdo zvarritje e mëtejme e marrëveshjes me Serbinë, Kosovën mund ta betonojë në status-quo, e që në terma praktik do të thot izolim dhe rrezikim i vet shtetësisë dhe pavarësisë së saj.