Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se gjatë javës së ardhshme mund të bëhet publik kabineti qeverisës.

Rama deklaroi se është në koordinim me partnerët e mundshëm për të formuar një ekip profesional. 

Numri një i Prishtinës ka deklaruar se është optimit se gjatë javës së ardhshme do të bëhen publikë emrat e kabinetit të tij. 

“Jemi të gatshëm ta forcojmë kabinetin, për shkak të aspekteve politike na duhet shumica në asamble, jemi në koordinim me partnerët e mundshëm ta bëjmë koordinimin e plotë. E kam përmendur, na duhet staf profesional, për këtë arsye jemi në pritje ta kemi stafin profesional, që do të marrë detyrat në kabinetin tonë. Jam optimist se gjatë javës në vijim do ta bëjmë publik kabinetin tonë”, ka deklaruar Rama.

I pyetur për atë se pse nuk ka marrë një përgjigje nga Vitia, Rama u shpreh se kjo pyetje do të ishte më mirë t’i bëhej ish-ministrit të Shëndetësisë personalisht.

“Kjo ka qenë ofertë e sinqertë. Normalisht, gjithkush i merr vendimet e veta, do të ishte më mirë ta pyetnit atë. Të gjitha propozimet që i kam bërë kanë qenë në relacion me aspektin profesional. Ai ka kryer punë të mirë kur ka qenë më parë. Jam i hapur për biseda, kam qenë i hapur me të gjitha partitë për njerëzit profesionalë, që i kanë për të formuar ekip në transformimin e Prishtinës, sepse qytetarët e meritojnë”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se Vitia nuk e ka telefonuar për ta pyetur për gjendjen shëndetësore, pasi ky i fundit është prekur me COVID-19 ditë më parë.

“Nuk kam marrë telefonatë ende. Me siguri i kanë edhe punët e veta, me siguri do të më thërrasë së shpejti. Nuk kam problem në këtë aspekt, po e shihni se jam mirë”, ka thënë Rama.

Ndryshe, Rama mori detyrën e të parit të Prishtinës më 7 dhjetor të vitit të kaluar. 

Ndërkaq më 5 janar të këtij viti, asamblistët e Prishtinës në raundin e tretë kanë zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal.