Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj B.B., nga fshati Dobidol, i cili dyshohet se kanosi bashkëshorten e tij. 

Ai dyshohet se mëngjesin e djeshëm u ka thënë gruas dhe resë së tij se do e blej një armë dhe do të “qërojë hesapet” me të gjithë familjarët, një ditë pasi që djemtë e tij dyshohet se e rrahën dhe e lidhën. 

Masa e paraburgimit u është caktuar edhe dy djemve të tij, K.B. dhe L.B., ndërsa djalit të tretë R.B., i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, nën dyshimin se të njëjtit e kanë lidhur dhe rrahur babanë e tyre. 

Sipas Prokurorisë, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin në mes vete, në natën kritike derisa i dëmtuari B.B fillimisht ishte duke diskutuar me të pandehurin L.B, pasi që i pandehuri K.B kishte shkuar në Rahovec, për të nxjerrë një vërtetim në Polici dhe Gjykatë, i dëmtuari nuk ishte i kënaqur me shkuarjen e tij dhe gjatë debati me tone të larta në mes tyre, aty ndërhyjnë edhe të pandehurit K.B dhe R.B, të cilët fillimisht e rrëzojnë të dëmtuarin në dysheme e më pas e lidhin me litar të trashë, litar të hollë dhe zinxhirë metali, në të gjitha pjesët e trupit, qafë, duar, stomak dhe këmbë, e më pas e lanë të lidhur të dëmtuari për një kohë rreth 20 minuta, derisa aty shkoi zyrtarët policorë.

Në kërkesën e prokurorisë, thuhet se i dëmtuari menjëherë dërgohet në QKMF në Rahovec, për trajtim mjekësor dhe me udhëzim të mjekut kujdestar dërgohet në Urgjencën e Spitalit rajonal në Gjakovë, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor .

Me këto veprime, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Dhunë në familje” në bashkëkryerje nga neni 248 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, raporton Betimi për Drejtësi. 

Ndërkaq, të nesërmen, babai i tyre i drejtohet të dëmtuarës, gruas së tij, me fjalët “pse e keni sjellë punën deri këtu që të ndërhyjë policia”, ku e dëmtuar i përgjigjet se “ti ke pas problem me djemtë”, e pas kësaj i pandehuri e kanos të dëmtuarën me fjalët “kam me ble një armë dhe do ju vras të gjithëve”.

Më pas thuhet se me t’i dëgjuar këto fjalë, anëtarët e tjerë të familjes, nga frika se i pandehuri vërtet do të realizojë atë që kishte thënë, një nga fëmijët me telefon e lajmëron policinë, me ç’rast me këto veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës për jetën dhe sigurinë e saj.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./