Një 30-vjeçar me inicialet M.K., dyshohet se u vra me armë zjarri sot rreth orës 16:00, në fshatin Pakashticë të Podujevës.

Zëdhënësja e Prokurorisë për rajonin e Prishtinës, Laureta Ulaj, i ka thënë Sinjalit se vrasja ka ndodhur në mal. 

“Po, vrasja ka ndodhur në Pakashticë, në mal. Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për t’i sqaruar rrethanat e rastit. Ende nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja, sapo të kemi diçka konkrete, do t’ju njoftojmë me kohë”, tha ajo. 

Ndërkaq, Policia ka arrestuar një 34-vjeçar me inicialet F.B. dhe ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur e sekuestruar dy armë gjuetie. 

“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës. Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar: F.B mashkull 34 vjeç.”

“Në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes“, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia njofton se hetuesit policorë janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.