Ministri i Shëndetisë, Rifat Latifi, nuk pajtohet që mbyllja e vendit, shkollës dhe ekonomisë është opsion për momentin. 

Sipas tij, Kosova momentalisht qëndron më mirë me pandeminë sesa vendet e tjera të rajonit, të cilat megjithatë nuk e kanë bërë këtë gjë. 

“Nuk besoj se tash për tash opsion është të mbyllen shkollat, të mbyllet ekonomia. Shumica e vendeve rreth neve, që e kanë gjendjen më të rëndë, nuk e kanë bërë këtë”,ka thënë Latifi.

Dallimi nga vera e kaluar, ai vlerëson se është numri i madh i personave të vaksinuar kundër koronavirusit. Prandaj, ai bën thirrje që të merret edhe doza e tretë përforcuese e vaksinës. 

“Tash është gjendje tjetër në botë, jo vetëm në Kosovë. Populli është i vaksinuar tash, por duhet vaksinuar të gjithë. Edhe nëse marrim COVID-in, prapë do të jetë më i butë. Në ShBA si shembull nëse e ke Omicronin pushon 5 ditë dhe kthehesh në punë”, ka thënë Latifi në KTV.

Latifi ka refuzuar të fajësojë ardhjen e mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit për rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë. Por, ai thotë se është normale që kur rritet fluksi i qytetarëve, ka mundësi të rritet edhe numri i rasteve.

“Nuk ka rëndësi se nga ka ardhur, me rëndësi është se e kemi COVID-in këtu. Duhet të marrim masa të mbrohemi. Të mbajmë maskë e të vaksinohemi”, tha Latifi.