Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar vlerësimin e vitit 2021 për Kosovën. Në këtë vlerësim konstatohet se ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen ekonomike për vitin 2021 kanë pasur hyrjet nga diaspora dhe politikat fiskale të shtetit.

Një prej institucioneve më kredibile ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar vlerësimin e vitit 2021 për Republikën e Kosovës. Në një komunikatë për media kanë bërë të ditura të gjitha detajet për vitin 2021 që ndërlidhen me rritjen ekonomike, papunësinë, borxhin publik e çështje të tjera.


Në këtë vlerësimthuhet se ekonomia e Kosovës po rikthehet nga një rënie e madhe që kishte përjetuar në vitin 2020, vit ky kur shpërtheu pandemia. Në këtë ngritje ekonomike thuhet se ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm mbështetja e diasporës.

“Pas tkurrjes me 5.3 % në vitin 2020, GDP reale parashikohet të rritet me 7.5 % në vitin 2021”, thuhet në raport.

Rezultati i mirë në vitin 2021 thuhet se ka ardhur si rezultat i përgjigjes fiskale ndaj pandemisë, gjë që ka siguruar rrugë për shpëtim për familjet dhe bizneset dhe ka zbutur ndikimin e goditjes për ata që janë prekur më së shumti nga pandemia.

Impakt të jashtëzakonshëm thuhet se ka pasur edhe hyrja e jashtëzakonshme nga diaspora dhe gjithashtu rritja e kredive për sektorin privat.

Ndërkohë parashikohet që viti 2022 të jetë më sfidues. Sipas FMN-së aktiviteti ekonomike parashikohet të rritet me 3.8 % në vitin 2022, rritje kjo e nxitur pjesërisht nga momentumi i fort ekonomik në vitin 2021.

Pasiguria rreth perspektivës për vitin 2022 mbetet e lartë dhe këtë pasiguri më së shumti e përfaqëson rreziku për vazhdimin e pandemisë.