Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë ditur çka po bëjnë kur kanë votuar për formimin e Gjykatës Speciale dhe si pasojë e kësaj, ai ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka uzurpuar kompetencat e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së për të cilët ka thënë se janë fajtor për rrjedhjen e dokumenteve në OVL-UÇK.

“82 parlamentarë që e kanë çuar gishtin pa ditë çka janë duke bërë dhe ta kanë lejuar ty sot zotëri prokuror t’i uzurposh kompetencat edhe të Gjykatës Kushtetuese edhe të Avokatit të Popullit edhe të drejtësisë, nuk pyetet më kush në Kosovë hiç”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se ZPS ka bërë skandal me dokumentet që kanë rrjedhur.

“Po më detyron të them mos spekulo, ti mos spekulo, me më tregu më kujt i thash unë, unë nuk u thash dëshmitareve, t’u kam drejtuar ty si prokuror, ose ju si prokurori, për skandalin që e keni bërë, prandaj mos spekulo ti me mendimin tim se kujt i kam thënë unë, dëgjo mirë, përkthe mirë dhe e sheh. Ju kam drejtuar, në skandalin e juaj, ju e keni shkatërruar, e kam thënë edhe këtu, ju e keni shkatërruar vetveten, dhe dëmet nëse mendon që janë krijuar deri tash, zoti prokuror, i keni krijuar ju me fajin e juaj ose me qëllimin e juaj, sepse nuk dua të besoj që në këtë prokurori ka aq analfabetë sa lejon me i ndodh kjo çka i ka ndodh”, ka thënë Haradinaj.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se janë punëtorët e ZPS-së ata që duhet të ishin gjykuar për rrjedhjen e dokumenteve.

“Çmimin ai që e bën duhet ta paguajë, prandaj ju jeni ata që duhet ta paguani këtë çmim, daljen (e dokumenteve) jeni ju që duhet të jepni përgjegjësi për këtë dalje, dhe mbrojtjen jeni ju ata që e keni premtuar dhe keni lyp një krijim të kësaj dhe parlamenti unë ua ka aprovuar dhe ju nuk e keni bërë. Është përgjegjësi e juaj dhe sot po them, ju jeni fajtor, ju ose dikush nga ju është dashur me qenë i ulur këtu, e keni këtë mundësi financiare, politike, dhe më keni sjell këtu mua”, ka thënë ai.

Haradinaj ka përsëritur që nga dokumentet që kishin shfletuar, kishin përmendur emra vetëm të personave që tashmë diheshin publikisht.

Ndërsa prokurori ka insistuar në pyetjen se a ka synuar Haradinaj që përmes konferencave dëshmitarët ta dinin se të tjerët tashmë ishin në dijeni për identitetin dhe dëshmitë e tyre.

“Zotëri prokuror, ti po do me gjuajt peshk në ujë të turbullt, e para, edhe sot ti vet nuk e ke konfirmuar këtu që ai material është i juaji, hala deri sot, e dyta, përpos atë pjesës ku po doni të na dënoni, e dyta ne nuk kemi nevojë me ditë a nuk doni ta dini ju, pyesni veten që a keni dashur që të tjerët ta dinë ose të paktën ne, organizata që na keni sjellë apo jo, nuk ka qenë kjo dëshirë e jona as nuk është varur prej dëshirës sonë apo mundësisë sonë”, ka thënë Haradinaj.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni nëse dokumentet, që një person i panjohur i kishte dërguar në organizatë, ishin konfidenciale dhe autentike.

Ndërsa për deklaratat e krerëve të organizatës se nuk kanë dashur të përmendin emra të dëshmitarëve në mënyrë që mos t’i rrezikojnë ata, Haradinaj ka thënë se qëndrime të tilla kanë shprehur pasi kanë dëgjuar profesionistët në debate televizive të thonë një gjë të tillë.

Dëshmia e Haradinajt po vazhdon për ditën e dytë me radhë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.